Zyrtarët e KQZ-së ende po trajtohen në Infektivë, nesër priten rezultatet laboratorike

Lindita Ajazaj-Berisha, U.D. e Drejtoreshës së Klinikës Infektive, ka thënë se janë 11 pacientë duke u trajtuar nga rasti i djeshëm që dyshohen të jenë helmuar pas hapjes së zarfeve me votat e ardhura nga Serbia.

Ajo, në një konferencë për media, ka thënë se gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe se janë duke i pritur rezultatet e mostrave që janë marrë nga ta.

“Pas marrjes së anamnezës, disa prej tyre kanë thënë se kanë pasur mundim, dy prej tyre kanë pasur vjellje, disa kanë pasur ndryshime në lëkurë në formë të skuqjes, por edhe të atillë që kanë thënë se kanë pasur probleme me frymëmarrje. Nuk mund të japim kurrfarë diagnoze për ta pa ardhur rezultatet laboratorike, të cilat duhet të presim së paku 48 orë për të arritur”, ka thënë ajo, raporton Koha.net.

Sa i përket shtatzënave, Ajazaj-Berisha ka thënë se ato janë kontrolluar nga gjinekologu dhe se sipas tij, gjendja e tyre është e mirë, si e fëmijëve, po ashtu edhe e nënave.

Të fundit

Të ngjashme