Spanja paralajmëron bojkotimin e Samitit të Zagrebit, shkaku i Kosovës

Spanja kërcënon se do të bojkotojë Samitin e Zagrebit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Madrid, Zagreb dhe Bruksel.

Sipas tyre, zyrtarët spanjollë i kanë paralajmëruar nikoqirët e samitit të ardhshëm se nuk do të marrin pjesë në takimin ku Kosova ka pjesëmarrje të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Po sipas burimeve, diplomatët e vendeve tjera të Bashkimit Evropian janë njoftuar tashmë se Spanja mund ta anashkalojë Samitin e Zagrebit.

Ky Samit midis përfaqësuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6-7 maj.

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndaj Qeveria në Madrid e ka sfiduar pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në të gjitha tubimet e nivelit evropian.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, për problemet e mundshme në organizimin e samitit për shkak të pjesëmarrjes së barabartë të Kosovës, kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, ka thënë se nuk është e lehtë të përputhen interesat e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Kur ka interesa të ndryshëm, atëherë negociohet gjatë”, ka thënë Jandrokoviq, i cili ka konfirmuar se kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, është në kontakt me të gjithë liderët evropianë rreth organizimit të samitit.

Jandrokoviq po ashtu ka thënë se Qeveria e Kroacisë do të bëjë gjithçka të mundur për t’iu dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë evropiane.

“Jo të gjitha vendet e BE-së kanë një qëndrim dhe entuziazëm të tillë. Ne do të flasim në interesin më të mirë të fqinjëve tanë” ka thënë mes tjerash ai.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët në Zagreb janë të bindur se deri në maj do të gjendet një formulë që do t’i lejojë të gjithë të ftuarit në Samit të marrin pjesë.

Të fundit

Të ngjashme