Qeveria e Kosovës kërkon shtyrjen e votimit për aplikim në Interpol

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol vitin e ardhshëm.

Sipas njoftimit për media, Haradinaj e ka marrë këtë vendim për shkak të rrethanave të krijuara në vend.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sot ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.
Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka njoftuar se aplikimi për pranim në Interpol nga ana e Kosovës është tërhequr para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, që pritet të mbahet në Santiago të Kilit.

Stefanoviq që aktualisht gjendet në Kili për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, në profilin e tij në Twitter ka shkruar se “falë punës së palodhshme të delegacionit të Serbisë, aplikimi i Kosovës për pranim në Interpol është tërhequr para se të fillojë Asambleja e Përgjithshme”.

Të fundit

Të ngjashme