Punëtorët teknikë të UP-së protestojnë për pagën e dhjetorit dhe kontratat e punës

Punëtorët teknikë të cilët punojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë protestuar për shkak se nuk e kanë marrë ende pagën e muajit dhjetor 2020. Ata kërkojnë gjithashtu që t’iu lidhen kontrata më afatgjata dhe jo njëmujore, si deri më tani.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nëse deri në ora 14:00 nuk do të bëhet realizimi i kërkesave atëherë do ta bllokojnë punën.

“Këta punëtorë po kërkojnë pagat e tyre dhe jo lëmoshë”, ka thënë ai.

Azemi ka kritikuar të gjitha qeveritë e deritanishme për gjendjen e keqe në sektorin privat.

“Partitë politike po premtojnë alamet realizimesh të kërkesave dhe ky është realiteti. Këtë gjendje e kanë pru krejt këto parti që janë. Kërkojmë që Rektorati t’i zbardhë sytë dhe të shohë realitetin. Ne shumë shpejt do ta bllokojmë tërë sistemin sepse nuk mund të qëndrojmë duke kërkuar lëmoshë për pagat tona. Tani për tani nuk jemi që të kërkojmë lëmoshë dhe nëse sot deri në orën 14:00 nuk do të ketë realizim të kërkesave atëherë ne do ta bllokojmë punën”, ka thënë ai.

Kujtim Selmanaj, përfaqësues i punëtorëve, tha se që nga muaji mars i vitit të kaluar punojnë pa kontrata dhe se kanë humbur të drejta, si marrja e kredive.

“Na jena tubuar me i shpreh pakënaqësitë tona që janë ndaj nesh. Pa kurrfarë të drejte këta punëtorë punojnë në Universitetin e Prishtinës, me vonesë të pagave. Prej muajit mars jemi duke punuar me kontrata 1 mujore dhe nga fillimi i marsit nuk do të punojmë më me ato kontrata. Në këtë kohë pandemie me punu pa kontrata. Krejt punëtorët i kanë humbur të drejtat e kredive që me ato kanë mbijetuar edhe pako emergjente është konfiskuar dhe nuk kanë pasur asnjë mbështetje. Pagën e muajit të 12-të nuk e kemi marrë që kemi pasur me marrë me 11 janar dhe arsyetimet kanë qenë se është mbyllur sistemi”, ka thënë ai./ EO

TË FUNDIT

Rekomandime