Mustafa: Veseli e ka kuptuar se LDK-ja fiton dhe se nuk bën koalicion me PDK-në

Për kreun e LDK-së, Isa Mustafa, koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK-ja e me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-në.

“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, dje në Shtërpce dhe Ferizaj konfirmoi dy gjera me rëndësi. E para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në”, ka thënë Mustafa, në një shkrim të shkurtër të publikuar në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, deklarata e Veselit se “koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet”.

“Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, Mustafa ka thënë se konsideron se gjasat janë shumë reale.

“Ky koalicion i drejtuar nga LDK-ja mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asocim”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë tutje se “me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do t’i ketë dyert e hapura në Bruksel dhe Washington”.

Të fundit

Të ngjashme