Kurti vazhdon ta theksojë në mediat e huaja se dialogu s’është prioritet i tij

Bullgaria dhe Kosova ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta, tha në një intervistë për Agjencinë Bullgare Telegrafike (BTA), Albin Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mori një fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë me gati 48% të votave nga të dhënat paraprake.

Në këtë intervistë, Kurti ritheksoi atë që tashmë është fjalia kryesore e deklaratave të tij pas zgjedhjeve, se dialogu me Serbinë s’është prioritet për të.

“Ne do të bëjmë një lëshim dhe do ta bëjmë dialogun me Serbinë prioritetin numër katër – pas vendeve të punës, drejtësisë dhe pandemisë COVID-19”, tha Kurti. Ai shprehu shpresën për një dialog të sinqertë nën kujdesin e Brukselit dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, bazuar në reciprocitet dhe barazi.

Kurti e përshkroi Bullgarinë si një aleat të ngushtë të Kosovës dhe tha se Prishtina mund të mësojë shumë nga Sofja për integrimin evropian.

Kreu i LVV-së thotë se Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian dhe shpreson që qeveria e tij e ardhshme do të punojë ngushtë me Bullgarinë si për integrimin evropian të Prishtinës ashtu edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, në të cilat tha se mund të arrihet një shkëmbim shumë më dinamik ekonomik dhe kulturor.

Albin Kurti theksoi se integrimi i Kosovës në BE është një proces që po vijon shumë ngadalë, duke theksuar se vendi nuk ka marrë ende liberalizimin e vizave, megjithëse i ka përmbushur të gjitha kriteret. Ai shprehu synimin e tij për të punuar intensivisht me pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës – Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron.

Kurti tha se do të përpiqet t’i bindë ata se nuk duhet të kenë frikë të njohin pavarësinë e Kosovës dhe se nuk duhet të krahasohen me Serbinë, për të cilën ai tha se kreu gjenocid më 1999.

Lideri i Vetëvendosjes tha se Ballkani dhe BE-ja janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin dhe se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë ende jashtë Bashkimit, duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndër çështjet kryesore ku do të përqendrohet kabineti i ardhshëm i Kosovës, Kurti theksoi se është çështja e vendeve të reja të punës dhe drejtësinë. Papunësia në vend arrin 40% dhe kreu i Vetëvendosjes planifikon të punojë shumë për të investuar në punë, veçanërisht midis të rinjve dhe grave. Kjo, së bashku me vendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ai tha se do të lejojë që vendi të dalë nga cikli i krizave dhe të shkelë në binarët e përparimit socio-ekonomik.

I pyetur për koalicionet, Albin Kurti tha se përveç Listës së Vjosa Osmanit, partia e tij nuk sheh partnerë tjerë të mundshëm në asnjë nga partitë e “regjimit të vjetër”.

Ai shprehu synimin e tij për të kërkuar mbështetje nga përfaqësuesit e pakicave joserbe dhe ligjvënësit individualë të opozitës që vendosin të përfaqësojnë zgjedhësit e tyre më shumë sesa partitë të cilave u përkasin.

Pas zgjedhjeve, Albin Kurti ka thënë disa herë se dialogun s’e ka prioritet. Para pak ditësh, të njëjtën ia tha edhe gazetës zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps, në një intervistë.

TË FUNDIT

Rekomandime