Këshilli i Prindërve kërkon reflektim nga Kastrati për reformën në arsim

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, që të reflektojë për reformën në arsim, pas pakënaqësive të prindërve për shkak të mbylljes së disa shkollave.

Në një njoftim për media, KPK ka thënë se Kastrati duhet të bisedojë bashkë me prindërit për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, duke mos dëmtuar interesin e nxënësve.

“Nëse Reforma për arsim e Kryetarit të komunës e ka si qëllim interesin e nxënësve, atëherë ai duhet ta sigurojë edhe mbështetjen e prindërve të atyre nxënësve, ndryshe nuk ka pse të realizohet ajo reformë”, thuhet në njoftim.

Ky këshill ka shprehur mbështetjen për Këshillin e Prindërve në Kamenicë, “të cilët janë kundër mbylljes së shkollave në këtë komunë”.

“Ne si KPK do të mbështesim vetëm zgjidhjet që përfshijnë edhe pëlqimin e prindërve të shkollave të komunës së Kamenicës”, përfundon reagimi.

Të fundit

Të ngjashme