Bushati: Serbia të ndjekë shembullin e Gjermanisë – të pranojë krimet e kryera në Kosovë

Pranimi i krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë duke ndjekur shembullin e Gjermanisë dhe kancelarit, Willy Brandt pas Luftës së Dytë Botërore, është parakusht për një proces normalizimi e pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Kështu ka deklaruar ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Unë bëra atë që bëjnë njerëzit kur fjalët dështojnë”, do të shpjegonte 50 vjet më parë, Kancelari gjerman, Willy Brandt, aktin e tij të rënies në gjunjë para memorialit për viktimat e kryengritjes së getos së Varshavës të vitit 1943 – një moment simbolik i pranimit dhe ballafaqimit me të vërtetën e Gjermanisë dhe historisë së Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

“Dy dekada nga çlirimi i Kosovës dhe përfshirja e të gjitha vendeve të rajonit në procesin e integrimit evropian, shtrohet pyetja: Kur do të shohim udhëheqësit e Serbisë të bëjnë të njëjtën gjë për krimet e kryera në Kosovë, si parakusht për një proces normalizimi e pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve?”, ka pyetur ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Sipas Bushatit, piruetat me këmbime territoresh, në funksion të mbijetesës politike, janë një mësim i hidhur për këdo.

“Piruetat me këmbime territoresh, relativizimi dhe amnistimi i përgjegjësisë shtetërore që mban Serbia për krimet e kryera në Kosovë, në funksion të mbijetesës politike, shpresoj të kenë shërbyer si mësim i hidhur për këdo. Tanimë, nevojitet kurajë dhe përgjegjshmëri për t’u ballafaquar me këtë realitet dhe kurrsesi për t’u përfshirë në revizionimin e historisë”, ka theksuar Bushati.

Ish-ministri është shprehur që nga fillimi kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, edhe atëherë kur shefi i qeverisë në Tiranë, Edi Rama dhe ish-presidenti e Kosovës, Hashim Thaçi akuzoheshin, përfshirë edhe nga Ramush Haradinaj, asokohe kryeministër, se janë pro asaj ideje.

Më 31 korrik të vitit 2018, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë takimit në Gjermani me ministrin e Jashtëm gjerman, Haiko Maas, ka thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është në kundërshtim me përpjekjet që janë bërë në Ballkan në tri dekadat e fundit.

“Mendoj se kjo do të binte në kundërshtim me të gjitha përpjekjet që janë bërë në Ballkan në tri dekadat e fundit. Do të binte në kundërshtim edhe me Aktin Final të Helsinkit dhe me dokumentet e tjera ndërkombëtare ligjërisht obliguese. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutin e Pandoras për rastet tjera në rajon. SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit në Ballkan, duke u siguruar që shoqëritë të mbesin të hapura. E di shumë mirë që është një sfidë e madhe ndërtimi i shoqërive dhe institucioneve që i shërbejnë këtij qëllimi, por na duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka deklaruar asokohe Bushati në Berlin.

Por vetëm një ditë më vonë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas tezave të hedhura për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim territoresh me Serbinë, ka folur publikisht në Prishtinë me një term të ri. Presidenti i Kosovës ka thënë më 1 gusht të vitit 2018 se është i gatshëm për korrigjim të kufijve. Me këtë ai ka thënë se kupton kërkesën e Luginës së Preshevës që t’i bashkohet Kosovës, ndërsa nuk përmend se çfarë do të kërkojë dhe çfarë do t’i jepet Beogradit.

Në verën e nxehtë të 2018-s është artikuluar publikisht më shumë se asnjëherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, për ndarjen e saj apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Madje liderët në Prishtinë i kanë dhënë hapësirë dhe e kanë mediatizuar këtë çështje ku më protagonist ishte ish-presidenti Hashim Thaçi. Ai theksonte se është kundër ndarjes së Kosovës, por është i hapur për të diskutuar “korrigjimin” e kufijve gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë dy vjet më parë Hashim Thaçi.

TË FUNDIT

Rekomandime