Blerta Basholli pas suksesit të filmit: Pavarësisht që jemi Kosovë, me punë mund të arrijmë sukses

Jeta Zymberi

Qysh nga nominimi i filmit “Zgjoi” në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, regjisorja Blerta Basholli dhe gjithë ekipi ishin në ethe për premierën dhe kritikën që do t’i jepej filmit, ndërsa çmimet nuk i mendonin fare. Por premiera e filmit në Sundance bëri një kthesë të natyrshme edhe në pritjen e regjisores dhe gjithë ekipit, shkruan KultPlus.

Kritikat e mira dhe pritja që publiku i bëri filmit, e kthyen vëmendjen e tyre edhe tek çmimet, por asnjëherë tek tri çmimet kryesore të cilat njëherit do të thyenin rekordin e këtij festivali.

Kjo ndodhi për herë të parë me “Zgjoi”-n e Blerta Bashollit duke sjellë dje në Kosovë një emocion e gëzim të papritur. Këtij lajmi ju gëzua i gjithë vendi por në veçanti ata që qëndrojnë më afër industrisë së filmit.

“Zgjoi” i Blerta Bashollit dje bëri histori!

“Filmi më i mirë”, “Regjisorja më e mirë”, dhe çmimi i vlefshëm i publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA u dedikuan për “Zgjoi”.

Momenti ku Blerta e mori lajmin ishte i ndarë në dy pjesë. Ajo fillimisht u telefonua për të marrë lajmin për çmimin “Regjisorja më e mirë” dhe ky ishte një moment feste në zyrat e Ikonë Studio aty ku Blerta po priste telefonatën. Por lajmin për dy çmimet tjera të cilin e mori tek ditën e nesërme, ajo nuk po e priste fare.

“Kemi qenë në Ikonë Studio sepse lajmin e parë e kemi marrë menjëherë pas premierës se filmit, të dielën ku gjatë gjithë ditën ishim në ethe duke pritur se si po reagon kritika dhe si po e pret publiku. Pasi kritikat ishin shumë të mira dhe kemi marrë një reagim tepër të mirë dhe shumë pyetje nga audienca e filmit, menjëherë pas premierës na kanë telefonuar dhe na kanë dhënë lajmin për çmimin e “Regjisores më të mirë”, atë natë jemi gëzuar e kemi festuar shumë. Ndërsa të nesërmen kemi marrë lajmin për dy çmimet e tjera dhe normal që këto nuk i kemi pritë por që jemi jashtëzakonisht të lumtur”, tregoi kështu Basholli për momentin e marrjes së lajmit të madh.

Lajmin fillimisht ajo e ka ndarë me producentin e filmit Yll Uka, pasi ai ishte i pranishëm gjatë telefonatës që ju bë regjisores.

“Pasi producenti më ka parë duke qajtë e ka kuptuar që po bëhet fjalë për çmim, dhe kështu ai ishte personi i parë me të cilin e kam ndarë lajmin. Ndërsa personi i dytë ka qenë Artan Korenica, bashkëshorti, sepse është njëri nga njerëzit që ka besuar në këtë projekt qysh nga fillimi dhe një prej njerëzve që më ka ndihmu shumë”, u shpreh Basholli.

Por ky lajm duhej me patjetër të ndahej shpejt edhe me zonjën Fahrije Hoti, mbi historinë e secilës është realizuar filmi. Regjisorja e takoi live Fahrijen për të ja komentuar lajmin pasi dëshironte të merrte emocionin drejtpërdrejtë.

“Në momentin kur e kemi marr lajmin zonja Fahrije nuk ka qenë prezente, ndërsa të nesërmen kemi ngrënë mëngjes bashkë dhe i treguar për çmimet, është gëzuar shumë dhe nga emocionet fjalët e parë që i ka thënë kanë qenë: Më paske qit punë me gazetarë””, tregon regjisorja.

“Zgjoi” pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festival, ndërsa për momentin regjisorja ka treguar për KultPlus se janë në pritje të konfirmimit për premierën evropiane, teksa për premierën e filmit në Kosovë si mundësi e sheh fundin e vitit.

Krejt për fund Basholli ka një mesazh për të gjithë kineastët e rinjë.

“Kineastët e rijnë kanë shembuj shumë të mirë, jo në këtë rast vetëm për film timin por edhe shumë filma të tjerë që janë prodhuar në vitet e fundit, kështu që besoj që deri tani veç e kanë marr mesazhin që pavarësisht që jemi Kosovë e nuk ka fonde të mjaftueshme ende për filma në Kosovë, me punë edhe mund, munden me mbërri dhe këtë e kanë dëshmuar secili film që po udhëton nëpër botë e festival të mëdha dhe po kthehen me çmime. Andaj mendoj që është një mesazh i mjaftueshëm që nëse veç e donë këtë punë, me besu dhe me punu vazhdimisht sepse puna secilit i shpërblehet”, përfundon Basholli.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n, “Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

TË FUNDIT

Rekomandime