AAK-PSD propozojnë qeveri me 15 ministri dhe reformë në administratë

Me ardhjen në pushtet të koalicionit AAK-PSD, do të bëhet reforma e administratës publike në Kosovë për një qeverisje më të mirë.

Ky koalicion propozon që qeveria e ardhshme Haradinaj, t’i ketë 15 ministri.

Besnik Tahiri nga AAK, theksoi se madhësia e qeverisë ka degraduar ndër vite, nga të gjitha qeveritë. Ai ka treguar se janë miratuar tri ligjet bazike për të pasur një qeveri efikase. Sipas tij, Ligji për qeverinë është i përfunduar dhe janë propozuar dy versione, me 12 dhe 15 ministri.

“Unë kam rekomanduar versionin me 15 ministri. Ideja është që asnjë zëvendëskryeministër të mos jetë pa qenë edhe ministër. Pra, nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa ministri. Me qeverisjen Haradinaj, nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra në një ministri”, tha Tahiri, raporton KP.

Ai përmendi edhe ministritë të cilat do të shkrihen në ministritë e linjës.

Ndërsa, Shqipe Pantina nga PSD-ja deklaroi se në qeverinë e ardhshme synohet të fillohet me procesin e digjitalizimit të rekrutimit, për departizim dhe krijim të një administrate profesionale.

“E gjithë kjo reformë do të rritë edhe cilësinë sidomos në arsim dhe shëndetësi. Pjesë e zvogëlimit të qeverisë, do të jenë edhe agjencitë e pavarura”, tha ajo, duke shtuar se asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna me këtë reformë.

Të fundit

Të ngjashme